Mourinho paralajmëron Prestianni-n: Nëse shpallet fajtor, me mua e mbyll

Trajneri portugez, José Mourinho, ka qenë në qendër të vëmendjes para sfidës së kampionatit portugez ndaj Gil Vicente-s, por konferenca e tij për shtyp u dominua nga polemikat rreth incidentit mes Gianluca Prestianni-t dhe Vinícius Júnior-it, pas përballjes së Benfica-s me Real Madridin në Champions League.

Mourinho kërkoi ekuilibër dhe theksoi rëndësinë e prezumimit të pafajësisë. “Nuk dua të vesh as fanellën e bardhë të Real Madridit dhe as të kuqen e Benfikës”, deklaroi ai, duke nënvizuar se nuk do të mbrojë askënd verbërisht. Megjithatë, mesazhi i tij ishte i prerë: “Nëse provohet se lojtari im nuk i ka respektuar parimet e mia dhe të klubit, karriera e tij me mua përfundon. Nëse është realisht fajtor, nuk do ta shoh më njësoj dhe me mua e mbyll”.

Ai kritikoi gjykimet e nxituara dhe klimën e tensionuar mediatike: “Nuk jam jurist, por as injorant. A është prezumimi i pafajësisë një e drejtë njerëzore apo jo?”. Sipas tij, shumëkush ka harruar bazat në mes të stuhisë së reagimeve. Mourinho komentoi edhe shkëmbimin e fanellave mes Sidny-t dhe Vinicius-it, duke e quajtur një veprim normal në ndeshje të mëdha, ndonëse pranoi se, për shkak të kontekstit të javës, mund të ishte shmangur.

Në pjesën e dytë të konferencës, tekniku portugez reagoi ashpër ndaj spekulimeve për një rikthim të mundshëm te Real Madridi. “A mendoni se do të thosha publikisht se mund t’i them ‘jo’ Florentino Pérez-it nëse do të doja të largohesha nga Benfica? Kam shumë defekte, por nuk jam budalla”, theksoi ai, duke shtuar se dëshiron të respektojë kontratën dhe të qëndrojë në klub, madje është i gatshëm ta rinovojë pa diskutim. Ai përfundoi me një mesazh të fortë: “Dua të luaj vetëm një kampionat, jo dy, atë realin, jo atë virtual”. Një deklaratë që pritet të vazhdojë të ndezë debat në Portugali dhe më gjerë.