Po shkëlqen, por të lehtë duket se nuk e ka aspak. Mario Mitaj vërtet meritoi një kontratë tek Al Itihad në Arabinë Saudite, dhe klubi pagoi kartonin për 5.5 milionë euro, por mbrojtësit shqiptar besohet se do t’i duhet të fitojë një sfidë të fortë. Mediat saudite shkruajnë se vazhdojnë dyshimet për një konflikt mes tij dhe kapitenit të ekipit, ish-legjendës së Realit dhe të Francës, Karim Benzema. Sipas këtyre mediave, trajneri Loran Blan, u detyrua ta zëvendësonte mbrojtësin kuqezi në ndeshjen ndaj Al Holodit, pas presionit të Benzemasë. Vetë Blan e ka hedhur poshtë këtë variant, duke thënë se Mitaj kishte nevojë të pushonte, ndërsa më pas klubi informoi se shqiptari ishte i dëmtuar. Gjithsesi, versioni I dëmtimit mund të merret me rezerva, sepse sërish sipas gazetave në Riad, futbollisti është gati për ndeshjen e së enjtes në Ligën Profesioniste vendase. Një rikuperim tepër I shpejtë që nga dëmtimi I supozuar në 1 shkurt. Pritet të shihet sesi do të jetë raporti mes Mitajt e Benzemasë në javët në vazhdim, dhe shpresohet që ndikimi I fuqishëm I kapitenit të mos I prishë punë lojtarit të kombëtares shqiptare. Gjithsesi, kryesor është fakti që mbrojtësi 21-vjeçar ka bindur në Arabinë Saudite, ka merituar kontratë mjaft të mirë dhe pritet të jetë protagonist në një ligë aspak për t’u hedhur poshtë.
sfidanti.al