Lewandowski: Nuk e shoh si ndeshjen e fundit ndaj Shqipërisë

Polonia do të përballet me Shqipërinë më 26 mars në Varshavë, në një sfidë vendimtare të fazës “play-off” për Kupa e Botës FIFA.

Në prag të kësaj përballjeje, sulmuesi kryesor i polakëve, Robert Lewandowski, ka theksuar rëndësinë maksimale të ndeshjes, duke e cilësuar atë si një “gjysmëfinale” që duhet fituar patjetër.

“Nuk po i qasem aspak ndeshjes ndaj Shqipërisë sikur të ishte loja ime e fundit me kombëtaren. Po e trajtoj si një gjysmëfinale ‘play-offi’ që duhet ta fitojmë”,u shpreh kapiteni i Polonisë. Ai shtoi se objektivi i vetëm është kalimi në finalen e “play-off”-it dhe sigurimi i një bilete për në Botëror, duke nënvizuar rëndësinë e lojës në grup.

“Vetëm si ekip, së bashku, mund të arrijmë këtë kualifikim. Ky është qëllimi për gjithë Poloninë dhe do të bëjmë gjithçka për ta realizuar”, deklaroi Lewandowski.