Lehman dënohet nga gjykata, preu trarët e fqinjit

Ish-portieri i kombëtares gjermane të futbollit, Jens Lehmann është dënuar në gjykatë në qytetin e tij të lindjes, Starnberg, pasi ka dëmtuar garazhin e fqinjit të tij me sharrë elektrike, njoftoi agjencia gjermane DPA. Gjykata vendosi një gjobë totale prej 420 mijë eurosh për dëmtim të pasurisë, sjellje ofenduese dhe mashtrim në tentativë. Rrethanat e këtij incidenti janë mjaft të pazakonta dhe mediat gjermane e cilësuan gjyqin si një nga më të çuditshmit. Lehmann pati një debat me fqinjin e tij për garazhin, duke thënë se garazhi ia bllokoi pamjen e liqenit nga shtëpia e tij. Ish-portieri i Schalke, Milan, Borussia Dortmund, Arsenal dhe Stuttgart hyri në garazhin e një fqinji pranë liqenit Starnberg në Bavarinë e Sipërme dhe preu një nga trarët. Lehmann u kap në flagrancë nga një kamerë vëzhgimi që po regjistronte me një bateri rezervë, pavarësisht se Lehmann shkëputi kabllon e kamerës nga priza përpara se të hynte në garazh.

sfidanti.al