Vapa përvëluese, stuhitë e forta dhe cilësia e dobët e ajrit mund të ndikojnë ndjeshëm zhvillimin e Kupës së Botës 2026. Turneu më i madh i futbollit në botë do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë, vende ku temperaturat gjatë verës shpesh kalojnë 35 gradë Celsius.
Sipas ekspertëve, lagështia e lartë do ta bëjë nxehtësinë edhe më të rrezikshme për organizmin, duke rritur rrezikun e stresit fizik për lojtarët dhe tifozët. Në qytete si Miami, Houston dhe Dallas, temperatura e perceptuar mund të arrijë deri në 43 gradë Celsius. Për këtë arsye, FIFA ka vendosur pushime të detyrueshme freskimi gjatë çdo pjese të lojës, si pjesë e masave për mbrojtjen e lojtarëve.
Një tjetër shqetësim mbeten stuhitë verore, veçanërisht në qytete si Miami, Atlanta dhe Houston, ku reshjet intensive dhe rrufetë janë të zakonshme. Sipas rregullave në SHBA, nëse rrufeja regjistrohet brenda 16 kilometra nga stadiumi, ndeshja duhet të ndërpritet deri 30 minuta pas goditjes së fundit. Përveç vapës dhe stuhive, organizatorët po monitorojnë edhe cilësinë e ajrit për shkak të zjarreve masive që kanë nisur herët këtë vit në Amerikën e Veriut. Në vitin 2023, tymi nga zjarret në Kanada mbuloi disa qytete amerikane, përfshirë New York, duke shkaktuar anulime aktivitetesh sportive dhe paralajmërime shëndetësore.
sfidanti.al

