Egjipti është skuadra e parë që kualifikohet për në raundin e 16-shes të Kupës së Kombeve të Afrikës pas fitores 1-0 ndaj Afrikës së Jugut. Ndeshja u vendos nga një penallti e goditur nga Momo Salah, e dhënë për një kontakt shumë të lehtë, shoqëruar me potesta të furishme nga afrikano-jugorët.
Në pjesën e dytë, afrikano-jugorët luajtën me një lojtar më shumë pas kartonit të kuq të Hany-t(Egjipt) dhe sulmuan pa pushim, por nuk arritën të barazonin. Kjo ndodhi edhe për shkak se VAR, pas një rishikimi të gjatë 10-minutësh, konsideroi një prekje mjaft të dukshme me dorë në zonën e penalltisë si të pandëshkueshme, duke anuluar kështu atë që dukej të ishte një penallti e pastër.

