Një ndeshje e çuditshme në stadiumin e Varshavës, ku Shqipëria vërtet humbi 1-4, por si lojë pati një paraqitje të mirë. Nëse ishim fajtorë në pësimin e golave, në elementët e tjerë të futbollit ishim lart. Zotërim topi gati barabar, dyfishin e gjuajtjeve (12-6) dhe baraz me gjuajtjet në kuadrat (4-4), goditjet e këndit i patëm më mirë (3-2), plot 30 pasime më shumë sesa polakët, të cilët u detyruan të bënin 25 faulla ndaj vetëm 10 të tanëve. Trajneri Reja me të drejtë u ndje keq, ndërsa u ngatërrua me rezultatin.
“Në rezultatin 2-0 ndeshja u bë e vështirë, – tha ai (në të vërtetë nuk pati rezultat 2-0), – Ne pësuam dy gola nga dy aksione standarde. Kur ndeshja ishte 2-1, për periudha të gjata ne ishim edhe më mirë, por u detyruam të rrezikonim, të lejonim hapësira, ndërsa polakët kanë lojtarë të shpejtë”.
Reja nuk harroi të kritikonte arbitrin italian Mariani për vendimet e tij. Gjyqtari dhe VAR-i gabuan që të dy në rastin për penallti të Manajt, ndërsa kartonët e verdhë ishin të shumtë. “Për pesë-gjashtë minuta morëm 3 kartonë të verdhë, – tha ai, – Pati ndërhyrje të forta, por jo nga ato për të verdha. Pas të verdhit lojtarët nuk luajnë më të qetë. Pati dy standarde gjykimi, dhe për mua mund të bëhej më mirë. Patëm një penallti me Manajn që ishte penallti, pati një moment me Cikalleshin në pjesën e parë. Në këto episode nuk ishim aspak me fat”. Kartonët e verdhë do të na kushtojnë shtrenjtë sepse Manaj, Hysaj e Bare nuk luajnjë ndaj Hungarisë të dielën.
Sfidanti.al