Gjasula nuk e heq vesin, rekord të verdhash edhe në Botëror!

Një luftëtar i vërtetë, të cilit ndonjëherë i erren sytë. i ndodh pak si shpesh kjo Klaus Gjasulës, dhe jo më kot e ndjekin rekordet e kartonëve të verdhë. Mesfushori i kombëtares shqiptare mori të verdhën e radhës në ndeshjen ndaj Anglisë, të gjashtën në këto eleminatore të Botërorit, duke u bërë lojtari më i ndëshkuar i kësaj faze. Siç informon UEFA, Gjasula ka 6 të verdha në 6 ndeshje të luajtura, duke lënë pas Jonsenin e Ishujve Faroe, Racën e Moldavisë dhe Kurtiçin e Sllovenisë.  Ai ka bërë gjithsej vetëm 14 ndërhyrje të gabuara, por gati gjysma e tyre janë ndëshkuar, ndërsa nuk do ta ndihmojë dot kombëtaren në ndeshjen e fundit eleminatore, këtë të hënë ndaj Andorrës në “Arenën Air Albania”.

Falë stilit të tij të ashpër të lojës, Gjasula është i shquar edhe në Gjermani. Mesfushori 31-vjeçar vendosi në vitin 2020 rekordin historik të Bundesligës për kartonët e verdhë, duke lënë pas atë të polakut Tomash Hajto. Shqiptari ka marrë 17 të verdha në 29 ndeshje.  Gjithsesi, ai ka qenë i rëndësishëm për ekipet e tij, duke ndihmuar Paderbornin, Hamburgun e tani Darmshtatin, ndërsa ka qenë vazhdimisht titullar fiks në kombëtaren e shqiptarë në një cikël eleminator ku deri tani janë fituar 15 pikë.

Sfidanti.al