Shiu bën lëmsh Kupën, Flamurtari qan hallin e parave!

Reshjet e dendura të ditës së sotme u kuptua se mund të bënin ndonjë “kurban”, dhe kështu ndodhi. Ndeshja më e shumëpritur e Kupës së Shqipërisë, Tirana-Flamurtari, mundi të “vraponte” nën shi për 25 minuta, por pastaj u dorëzua. Edhe pse klubet donin që ajo të vazhdonte, topi nuk dëgjonte të lëvizje në fushë, ndërsa vijëzimi u bë i padukshëm. Kjo solli shtyrjen për nesër, në orën 13:00, duke filluar që nga minuta e 25-të, ku u ndërpre.

Një nga drejtuesit e Flamurtarit, krejt kuptueshëm, u shqetësua shumë për faktin se skuadra do të rrinte në Tiranë edhe një ditë më shumë, pra do ta kalonte natën aty, dhe do të ushqehej në kryeqytet. “Na shkoi Kupa 10 milionë lekë”, – ishin fjalët e tij, një simbolikë e vërtetë e gjendjes së mjerë financiare të vlonjatëve.

Shtyrja e ndeshjes së Kupës, bëri që të shtyhej edhe ndeshja e Flamurtarit në kampionat, pra takimi në fushën e Teutës do të jetë të dielën në orën 17:00. Tirana luante të dielën, në fushën e saj ndaj Kamzës, ndaj nuk pati nevojë për ndryshim. Të premten, në 18:00 do të zhvillohet kryendeshja e javës së 19-të, Skënderbeu-Partizani.

Rezultatet e sotme të Kupës: Apolonia-Kukësi 2-1, Bylis-Laçi 2-0, Egnatia-Luftëtari 0-3, Lushnja-Teuta 1-3, Vllaznia-Kamza 2-1.

Sfidanti.al