Flamurtari po kalon momente shumë të vështira, aq sa të krijohet përshtypja se askush nuk ka ndërmend ta ndihmojë dhe kështu që po i afrohet një fundi të dhimbshëm. Administratori Idrizi betohet se nuk ka ndërmed të paguajë asnjë lek nga detyrimet e vjetra, por në të njëjtën kohë, nuk po paguan as detyrimet e tanishme, ato që i ka nënshkruar vetë me futbollistët dhe stafin, madje në mënyrë pompoze, në praninë e kamerave. Dhe ndëshkimi i parë ishin 3 pikë minus nga tabela e klasifikimit.
Ndërsa FSHF, vazhdon ta kërcënojë me të njëjtin zell klubin vlonjat, për të tjera pikë minus, deri në zbritjen një kategori më poshtë, ndërkohë që nuk e ka bërë asnjëherë një gjë të tillë me klube të tjera, por aq debitore sa edhe Flamurtari. Klodian Duro është rasti i fundit i denoncimit, i cili deklaron se ka katër vjet që e ka fituar gjyqin me Tiranën, për detyrime të prapambetura, por deri tani nuk ka marrë asnjë qindarkë.
Ndërsa duke shfrytëzuar pakënaqësinë e futbollistëve që përbëjnë skuadrën vlonjate, një pjesë e të cilëve e ka humbur fare durimin, janë sulur ta çmontojnë Flamurtarin që në merkaton e janarit. Kapiteni Telushi ka ngjallur interesin e klubeve kryesore, por në “pole position” duket se është Partizani. Donjet Shkodrën e kërkojunë pothuajse të gjithë, por duket se mesfushori është mërzitur aq shumë, sa që ka shumë mundësi ta lërë Shqipërinë, që me përfundimin e gjysmës së parë të edicionit. Po ashtu edhe Bushiç e të tjerë dhe ënse vazhdohet kështu, ka shumë mundësi që pas janarit të mbetet vetëm Idrizi trajneri Mezani.