Kameruni ‘zien’ para Kupës së Afrikës

Më pak se një muaj para startit të Kupës së Afrikës 2025, atmosfera te Kameruni është shumë e tensionuar. Marc Brys, i larguar së fundi nga drejtimi i kombëtares, ka hedhur akuza të forta ndaj presidentit të Federatës Kamerunase, Samuel Eto’o, duke ndezur edhe më tej polemikat për listën përfundimtare të lojtarëve që do të udhëtojnë drejt Marokut (21 dhjetor–18 janar).

Trajneri belg, 63 vjeç, në një intervistë për “Afrik Foot”, ka deklaruar se lojtarë kyç janë lënë jashtë për arsye personale e jo sportive. Sipas tij, mungesa e portierit André Onana, si dhe e dy sulmuesve të njohur, Vincent Aboubakar dhe Eric Maxim Choupo-Moting, është pasojë e vendimeve të marra drejtpërdrejt nga Eto’o: “Lista është përpiluar prej tij. Ka përjashtuar lojtarë të rëndësishëm, liderë të vërtetë. Si mund të hysh në një turne të tillë pa një portier të nivelit të Onanës apo pa përvojën e Aboubakarit?”, u shpreh Brys. Ai shtoi se bëhet fjalë për futbollistë me karakter të fortë, që “nuk i nënshtrohen presidentit”.

Ish-trajneri nuk kurseu as tonin kritik ndaj vetë Eto’o-së, duke e quajtur “narcist që mendon se është më i miri në çdo aspekt”. Brys kujtoi se kontrata e tij me federatën është ende në fuqi deri më 30 shtator 2026, çka tregon se përplasja mes palëve nuk ka marrë ende fund.

Kameruni hyn në Kupën e Afrikës mes presionit të jashtëzakonshëm, paqëndrueshmërisë së brendshme dhe me trajnerin e ri David Pagou që përballet menjëherë me një sfidë të vështirë: rikthimin e qetësisë në një ekip që sapo ka dështuar të kualifikohet në Botërorin 2026.

sfidanti.al