Jurgen Klinsmann ka dhënë një intervistë për “La Stampa” në prag të ndeshjes mes Italisë dhe Gjermanisë:
“Italia është shtëpia ime e dytë dhe kalimi nga Stuttgarti tek Interi në 1989 ishte më i rëndësishmi në karrierën time. Më pas, falë miqve nga Milano, njoha gruan time Debbie dhe sa herë që mundem vij t’ju vizitoj, edhe sepse djali im Jonathan luan si portier te Cesena”.
Pse kalimi tek Interi ishte më i rëndësishmi?
Sepse aty mësova si të jetoja në botë. Kur mbërrita në Milano, isha një ‘gjerman tipik’, por nuk mund të ngulesha vetëm tek idetë e mia, duhej të pranoja njerëzit ashtu siç janë. Aty kuptova si të jetoja dhe si të mendoja: Trapattoni, presidenti Pellegrini dhe shokët e ekipit më ndihmuan dhe, nëse sot ndihem si një qytetar i botës, kjo është falë tyre. Është gjëja më e bukur që mund të kisha marrë nga Italia.
Më e rëndësishme se Kupa e Botës e fituar në 1990 me Gjermaninë?
Kur je kaq i ri, nuk e kupton vlerën e të fituarit të një Kupe Bote, e kupton vetëm 15 vjet më vonë. Prandaj, kujtimi më i bukur nga Italia nuk është ndonjë trofe, por njerëzit që kam njohur gjatë atyre tri viteve në Milano. Me ish-shokët e Interit flasim gjithmonë në ËhatsApp, ndërsa një herë në vit presidenti na fton në shtëpinë e tij për të festuar.
sfidanti.al