Në një ndeshje plot emocione deri në sekondat e fundit, Barcelona mposhti Real Madridin me rezultatin 3-2 dhe fitoi për herë të 32-të Kupën e Mbretit. Megjithatë, pas festimeve të para, atmosfera e gëzimit u zbeh për shkak të një polemike të ndezur ndaj protokollit të ri të Federatës Spanjolle të Futbollit (RFEF). Sipas asaj që raporton ‘Sport’, rregullat e reja lejojnë hyrjen në fushë vetëm për familjarët e drejtpërdrejtë të lojtarëve, të pajisur me kredenciale speciale, të cilat ishin të kufizuara në numër. Kjo shkaktoi pakënaqësi të madhe mes lojtarëve, që nuk mundën të ndanin momentin historik me të afërmit dhe miqtë e tyre.
Pedri, një nga ‘yjet’ e Barcelonës, nuk e fshehu nervozizmin: “Është një turp! Shpërndanë vetëm 100 kredenciale, ndërkohë që vetëm unë kisha 30 të ftuar”, u ankua ai. Edhe Fermín López shprehu zhgënjimin që miqtë e tij nuk mundën të hynin në fushë për të festuar. Në dhomat e zhveshjes së Barcelonës, pas ndeshjes, mbizotëronte një atmosferë tensioni, me shumë lojtarë që shprehën hapur pakënaqësinë e tyre. Situata u përkeqësua akoma më shumë kur u mësua se disa ‘youtuber’ dhe persona të tjerë jo të lidhur ngushtë me lojtarët patën mundësi të hynin në fushë, ndërsa disa prej familjarëve të futbollistëve u detyruan ta ndiqnin festën nga tribuna.
Tashmë, lojtarët e Barcelonës shpresojnë që RFEF të rishikojë protokollin për të mos penguar më gëzimin e futbollistëve në fitore të tilla madhështore.
sfidanti.al