Elbasani godet në merkato, Roei Ben Shimon zbarkon në Superiore

Një emër i ri vjen për të forcuar repartin ofensiv të Elbasanit. Klubi ka zyrtarizuar afrimin e sulmuesit izraelit, Roei Ben Shimon, i cili sjell me vete përvojën e një dekade në futbollin izraelit dhe ambicien për të lënë gjurmë në Shqipëri. 24-vjeçari, i cili së fundmi ka qenë pjesë e Maccabi Herzlya, ka vendosur të mbyllë aventurën e tij në atdhe për të nisur një sfidë të re në kampionatin shqiptar. Ben Shimon nuk është emër i panjohur në futbollin izraelit, ai ka mbajtur veshur fanellat e disa prej ekipeve më të njohura si Bnei Yehuda, FC Ashdod, Hapoel Kfar Saba dhe Beitar Jerusalem, duke krijuar profilin e një sulmuesi të gjithanshëm dhe të vendosur. Në total, sulmuesi ka grumbulluar 111 ndeshje zyrtare, me 22 gola dhe 8 asistime, ndërsa aktualisht vlerësohet me 175 mijë euro nga “Transfermarkt”. Me këtë afrim, Elbasani synon të shtojë rrezikshmërinë në fazën sulmuese dhe të shfrytëzojë eksperiencën e Ben Shimon për të arritur objektivat sezonale. Me një profil teknik dhe të shpejtë, mbetet për t’u parë se si do të përshtatet izraeliti në realitetin shqiptar, por pritshmëritë janë të larta. Një përforcim që ngjall kureshtje në Superiore.

sfidanti.al