Wojciech Szczesny do të qëndrojë te Barcelona edhe për dy sezone të tjera. Klubi katalanas zyrtarizoi pasditen e së hënës rinovimin e kontratës me portierin polak deri më 30 qershor 2027, duke përforcuar pozitat në portën ‘blaugrana’ për sezonet në vijim.
35-vjeçari e përfundoi kontratën e mëparshme më 30 qershor, por marrëveshja për vazhdimësinë ishte arritur në mënyrë verbale prej disa javësh. Firmosja u shty për shkak të agjendës së ngjeshur, por tashmë gjithçka është zyrtare me nënshkrimin e kontratës përballë presidentit Joan Laporta. Szczesny u bashkua me Barçën në mënyrë surprizë pas dëmtimit të rëndë të Marc-André ter Stegen në shtator të vitit të kaluar. Që atëherë, polaku ka dhënë siguri në portë dhe ka fituar besimin e stafit teknik dhe shokëve të skuadrës. Përveç kontributit në fushë, Szczesny është vlerësuar edhe për atmosferën pozitive që ka sjellë në dhomat e zhveshjes. Ai është konsideruar si një nga figurat më humoristike dhe të dashura të grupit, gjë që e ka bërë të mirëpritur nga të gjithë.
Sipas raportimeve të brendshme nga klubi, Szczesny do të formojë dyshe me Joan Garcia, ndërsa aktualisht shihet si një alternativë më e sigurt sesa ter Stegen, i cili po rikuperohet dhe nuk ka ende garanci për formën maksimale. Që nga debutimi i tij më 4 janar ndaj Barbastro në Kupën e Mbretit, Szczesny ka grumbulluar 2,726 minuta në 30 ndeshje zyrtare, duke përfunduar në vendin e nëntë në listën e lojtarëve më të aktivizuar nga Barça gjatë sezonit. Për Barcelonën, rinovimi me Szczesnyn është një garanci sigurie dhe përvoje në një skuadër që po përjeton një proces rinovimi të thellë.
sfidanti.al