Marvin Çuni, një prodhim i Akademisë së Bayern Munich, vendosi të shkonte pak si larg për të vazhduar karrierën, e më konkretish në Premier Ligën e Rusisë, aty ku “fantazisti” 23-vjeçar i sulmit pritet t’i bashkohet “bomberit” Mirlind Daku, te skuadra e Rubin Kazan. Sipar raportimeve më të fundit të mediave ruse, klubi nga Kazani është i gatshëm të derdhë në arkat e italianëve të Frosinone shifrën e 2 milionë eurove, shifër goxha e konsiderueshme, duke llogaritur faktin, se kartoni i Çuni vlerësohet në 900 mijë euro. Sulmuesi shqiptar, i lindur në Gjermani, luajti sezonin e shkuar, në Serie A, te skuadra e Frosinone, për të cilën është aktivizuar jo edhe aq shumë, ndërsa numëron dy gola dhe një asist në 27 ndeshje gjithsej, në të dyja kategoritë e futbollit italian. Çuni është aktivizuar vetëm në një ndeshje në Kombëtare, në miqësoren ndaj Bullgarisë, ndërsa trajneri Sylvinho e sheh si sulmues me karakteristikat e Myrto Uzunit, pra me një të ardhme të sigurt në ekipin kuqezi.
sfidanti.al