Daku vendos për të ardhmen

Mirlind Daku nuk ka ndërmend të lëvizë nga Rubin Kazan. Edhe pse merkatoja e futbollit rus do të qëndrojë aktive deri më 20 shkurt, sulmuesi i kombëtares shqiptare duket i vendosur të qëndrojë të paktën deri në fund të sezonit. Ofertat për të nuk kanë munguar, por klubi rus ka vendosur një çmim të lartë për kartonin e tij, për të cilin kërkohen 10 milionë euro. Kjo shumë ka bërë që klubet e interesuara të tërhiqen. Sipas mediave ruse, Cagliari nga Seria A italiane dhe Lensi nga Franca kishin shfaqur interes për Dakun, por nuk guxuan të dërgojnë një ofertë zyrtare për shkak të kërkesave financiare të Rubin Kazanit. Vetë klubi rus mohon të ketë marrë ndonjë ofertë konkrete, por duket se në prapaskenë ka pasur lëvizje për të. Daku vazhdon të mbetet një nga lojtarët më të rëndësishëm të Rubinit këtë sezon. Me 9 gola të shënuar deri më tani, ai është në rrugën e duhur për të arritur rekordet e Buharov dhe Domingez, të cilët kanë realizuar nga 16 gola në një sezon me skuadrën ruse. Objektivi i tij kryesor është që të barazojë ose ta kalojë këtë shifër, duke dëshmuar se është një sulmues i kalibrit të lartë.

Një tjetër çështje e rëndësishme është rinovimi i kontratës. Marrëveshja e tij aktuale nuk është afatgjatë, dhe për këtë arsye klubi synon ta blindojë atë me një kontratë të re, për të shmangur humbjen e tij falas ose për një shumë të vogël në të ardhmen. Për momentin, asnjë vendim nuk është marrë, por bisedimet mund të nisin së shpejti. Një mundësi tjetër për të ardhmen e tij është kalimi në Turqi. Megjithatë, raportimet nga mediat ruse tregojnë se Daku nuk e preferon këtë destinacion për arsye sportive. Ai dëshiron një lëvizje në një nga ligat kryesore të Europës, si Seria A, La Liga ose Bundesliga, ku mund të rritet profesionalisht dhe të tregojë vlerat e tij në një nivel më të lartë. Trajneri i Rubinit, Rashid Rahimov, ka deklaruar se Daku do të jetë pjesë e ekipit deri në fund të sezonit, dhe të njëjtën gjë e ka konfirmuar edhe babai i tij, Feimi. Për momentin, ai është i fokusuar te paraqitjet me Rubinin dhe synon të ndihmojë skuadrën të arrijë objektivat sezonalë. Nëse ai vazhdon me këtë ritëm, mund të bëhet një nga lojtarët më të rëndësishëm të kampionatit rus, duke tërhequr edhe më shumë vëmendjen e klubeve europiane.

 

sfidanti.al