Ditët e fundit në mediat e huaja ka qarkulluar lajmi se kampionët skocezë të Celtic kanë shfaqur interes për sulmuesin me origjinë shqiptare, Lorent Tolaj, i cili po zhvillon një sezon fantastik me skuadrën angleze të Plymouth. 24-vjeçari është një nga golashënuesit më të mirë të League One këtë edicion, pasi u transferua te Plymouth nga Port Vale gjatë verës. Forma e tij e shkëlqyer ka tërhequr vëmendjen e disa klubeve, mes tyre edhe të Celtic. Tolaj është produkt i akademisë së Brighton, ndërsa pjesën më të madhe të karrierës e ka kaluar në nivelet më të ulëta të futbollit anglez, duke luajtur për skuadra si Cambridge United dhe Salford City.
Megjithatë, sipas “Daily Record”, një transferim i mundshëm në afatin kalimtar të janarit është i pamundur. Arsyeja lidhet me rregullat e pranueshmërisë së lojtarëve, pasi Tolaj ka bërë paraqitje për Port Vale në fillim të sezonit, përpara se të transferohej te Plymouth në fund të afatit veror. Kjo do të thotë se ai nuk mund të aktivizohet për tre klube të ndryshme brenda të njëjtit sezon, duke e bërë të pamundur një lëvizje gjatë merkatos së dimrit. Në 19 ndeshje kampionati me fanellën e Plymouth, Tolaj ka realizuar 11 gola dhe ka dhuruar 4 asiste, duke konfirmuar formën e tij të shkëlqyer dhe duke rritur interesimin për shërbimet e tij në prag të verës.
sfidanti.al

