Çastet e fundit të Jorge Bolano: Po kërcente dhe u rrëzua

Një tragjedi e tmerrshme, e bërë edhe më e vështirë për t’u pranuar nga mungesa absolute e simptomave apo shenjave që mund të linin të kuptohej se zemra mund ta tradhtonte papritur Jorge Bolano, i cili vdiq të dielën në moshën 47-vjeçare nga një infarkt i befasishëm. Rrethanat e fundit të jetës së ish-futbollistit kolumbian, që kishte luajtur për 10 vite në Itali, e shtojnë edhe më shumë dhimbjen për familjarët dhe të dashurit e ish-futbollistit Bolano, të cilët ishin me të gjatë një feste private plot me fëmijë dhe gëzim, ku pikërisht Jorge ishte një nga protagonistët kryesorë. Një video tregon qartë paqen dhe gëzimin e atyre momenteve, pak para se ish-mesfushori i kombëtares të “rrëzohej në tokë teksa po kërcente”.

Sipas dëshmive të të pranishmëve, ish-lojtari po kërçente dhe po argëtohej në një atmosferë feste, kur papritur u rrëzua në tokë. Pavarësisht se u transportua në spital dhe u provuan manovrat e reanimimit, nuk ishte e mundur që t’i shpëtohej jeta. Një i afërm që ndodhej në festën që zhvillohej në qytetin Cucuta, aty ku Bolano kishte vendosur të jetonte pasi kishte mbyllur karrierën profesionale me ekipin vendas, tregoi çfarë ndodhi: “Askush nuk e priste këtë, ishte krejtësisht i shëndetshëm, nuk ishte ankuar kurrë për ndonjë simptomë që mund të tregonte ndonjë sëmundje të zemrës apo diçka të ngjashme”.

sfidanti.al