Brazili mbetet përsëri pa trajner, kur e ndan një vit nga Botërori 2026 ku kërkon të jetë përsëri protagonist kryesor. Dorival Junior është shkarkuar sot nga drejtimi i përfaqësueses pas humbjes turpëruese që pësoi në kualifikueset e Botërorit ndaj Argjentinës. “Selecao” u mund me rezultatin 4-1 në Buenos Aires dhe kaq mjaftoi që të merrte fund aventura e trajnerit, pas 16 ndeshjesh në drejtim me një bilanc që lë shumë për të dëshiruar po të llogaritësh se çfarë pritet nga ky ekip. I emëruar në pankinën e Brazilit në janarin e vitit 2024, ai ka regjistruar 7 fitore, 6 barazime dhe 3 humbje, me 27 gola të shënuar dhe 21 të pësuar. Brazili është i katërti në grupin e Amerikës së Jugut sa i përket eliminatoreve të Botërorit dhe pritet që të kualifikohet rregullisht atje. Por u bë e qartë se me Dorival në drejtim nuk do të kishte një rol protagonisti për të, ndaj erdhi shkarkimi i trajnerit dhe nisi kërkimi i një tjetër emri.
sfidanti.al