Botërori për Klube 2025, përjashtohet Club Leon

Tërmet në Kupën Botërore për Klube. Formati i ri me 32 skuadra humbet përfundimisht një pjesëmarrës, duke pritur të zbulohet zëvendësuesi. Bëhet fjalë për një skuadër meksikane, Club Leon, që është përjashtuar zyrtarisht nga kompeticioni për shkelje të kritereve të multi-pronësisë. Leon ishte në Grupin D me Chelsea-n, Flamengo-n dhe ES Tunis. Ja komunikata e FIFA-s:

“Pas procedurës disiplinore të nisur kundër CF Pachuca dhe Club León, presidenti i Komisionit Disiplinor të FIFA-s ka vendosur ta dërgojë rastin drejtpërdrejt në Komisionin e Apelit të FIFA-s, në përputhje me nenin 56, paragrafi 3, të Kodit Disiplinor të FIFA-s.

Pasi ka vlerësuar të gjitha provat në dosje, presidenti i Komisionit të Apelit të FIFA-s ka vendosur që CF Pachuca dhe Club León nuk plotësojnë kriteret e multi-pronësisë të përcaktuara nga neni 10, paragrafi 1, i Rregullores së Kupës Botërore për Klube FIFA 2025.” Në përputhje me nenin 10, paragrafi 4, të Rregullores së Kupës Botërore për Klube FIFA 2025, FIFA ka vendosur që Club León do të eliminohet nga kompeticioni dhe klubi që do të pranohet për zëvendësim do të njoftohet në kohën e duhur.”

Pasi është konfirmuar përjashtimi i meksikanëve, FIFA do të njoftojë se cili klub do të zëvendësojë Club Leon. Aktualisht, disa thashetheme flasin për një mundësi arabe.

 

sfidanti.al