Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e sotme teksa në Korsikë është vrarë në një atentat një figurë shumë e njohur e ishullit, Alen Orsoni. 72-vjeçari, i cili në periudha të ndryshme mbuloi edhe rolin e presidentit të klubit të Azhakso, ishte një figurë shumë e njohur për lëvizjen indipendentiste në ishull. Ai është vrarë në një atentat të mirëfillte të planifikuar, ndërsa merrte pjesë në varrimin e të ëmës në fshatin e lindjes.
Sipas burimeve në vendngjarje, ai është qëlluar nga një plumb i vetën në gjoks, gjë që lë të kuptohet se atentati ishte kryer me një snajper. Pavarësisht ndërhyrjes së ndihmës së shpejtë, nuk u arrit që të mbahej në jetë dhe u shpall i vdekur. Orsoni kishte mbajtur postin e presidenti të Azhakso për herë të fundit në sezonin 2022-2023, pikërisht atëherë kur ekipi kishte qenë në elitën e futbollit francez dhe pjesë e kësaj skuadre ishte ende edhe mesfushori i Kombëtares shqiptare, Qazim Laçi. Ky i fundit u bë një emër i njohur pikërisht falë viteve të tij te Azhakso, për të cilin luajti nga viti 2017, deri në vitin 2023.
sfidanti.al

