Arsenal dhe Spanja në ankth për Merinon

Mikel Merino do t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale pas frakturës në këmbë që pësoi në fund të humbjes 3-2 të Arsenalit ndaj Manchester United. Mesfushori spanjoll pritet të mungojë për një periudhë të gjatë, ndërsa rikthimi i tij mbetet një enigmë si për klubin londinez, ashtu edhe për Kombëtaren e Spanjës.

Sipas informacioneve, operacioni pritet ta mbajë Merinon jashtë fushave për pjesën më të madhe të sezonit. Procesi i rehabilitimit do të zgjasë rreth tetë javë pa ngarkesë të fortë në këmbë, megjithëse lojtari do të jetë në gjendje të kryejë punë në palestër. Objektivi është që ai të nisë vrapimet nga fundi i prillit dhe gradualisht të rikthehet në stërvitje me skuadrën, me shpresën për të luajtur sërish para mbylljes së sezonit, në maj. Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, e konfirmoi dëmtimin duke theksuar rëndësinë e Merinos për ekipin: “Është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne, me aftësi për të luajtur në disa pozicione. Është një goditje e madhe”. Arteta shtoi se bëhet fjalë për një dëmtim të rrallë dhe se gjithçka do të varet nga mënyra se si do të shkojë procesi i shërimit pas operacionit. Shqetësimi më i madh lidhet me Kombëtaren e Spanjës. Merino ka qenë një element kyç në planet e trajnerit Luis de la Fuente, duke luajtur si titullar në gjashtë ndeshje kualifikuese për Botërorin dhe duke shënuar gjashtë gola, përfshirë një tripletë ndaj Turqisë. Edhe nëse rikthehet para fundit të sezonit me Arsenalin, mbetet për t’u parë nëse ai do të jetë në formën e duhur për sfidat vendimtare të verës.

sfidanti.al