E ardhmja e Xabi Alonso-s pas largimit të bujshëm nga pankina e Real Madridit ka nisur të marrë formë. Sipas raportimeve nga Marca, trajneri spanjoll ka vendosur të marrë një pauzë të shkurtër nga futbolli, duke u distancuar përkohësisht nga presioni dhe vëmendja mediatike që shoqëron profesionin e tij.
Burimet pranë Alonsos bëjnë të ditur se ai dëshiron t’i përkushtohet familjes dhe të rikuperojë energjitë pas një periudhe intensive, e cila u mbyll në mënyrë të papritur me shkarkimin nga Real Madridi. Aktualisht, ish-mesfushori legjendar nuk ka ndërmend të rikthehet menjëherë në pankinë, përveç një skenari shumë specifik. Sipas të njëjtave burime, vetëm Liverpooli do të ishte në gjendje ta ndryshonte këtë vendim. Alonso e konsideron klubin anglez si dashurinë e tij të vërtetë në futboll dhe nuk e fsheh dëshirën për ta drejtuar një ditë nga stoli “The Reds”. Për të, zgjedhja është e qartë: Liverpool ose asgjë.
Xabi Alonso ka një lidhje të veçantë me Liverpoolin, klub me të cilin shkroi histori si lojtar, duke fituar Ligën e Kampionëve përpara se të transferohej te Real Madridi. Pikërisht këto emocione dhe kjo trashëgimi e bëjnë Anfield-in destinacionin e vetëm që do të mund ta bindte të rikthehej menjëherë në futbollin aktiv. Megjithatë, ky rikthim nuk pritet të ndodhë së shpejti. Liverpooli aktualisht ka besim të plotë te Arne Slot, i cili po drejton projektin sportiv të klubit. Për këtë arsye, ëndrra e Alonsos për pankinën e “Reds” do të duhet të presë, ndërsa ai vetë do të shijojë një periudhë qetësie larg fushave të blerta.
sfidanti.al

