West Ham tallet me tifozin e Manchester United pas barazimit 1-1

West Ham ka reaguar me humor dhe ironi ndaj personalitetit të rrjeteve sociale, “The United Strand”, pasi Manchester United dështoi të siguronte fitoren e pestë radhazi dhe barazoi 1-1 në “London Stadium”. “The United Strand”, emri i vërtetë i të cilit është Frank Ilett, kishte premtuar në vitin 2024 se nuk do t’i priste flokët derisa United të fitonte pesë ndeshje radhazi. Sfidës së tij i janë bërë gati 500 ditë dhe ai ishte vetëm një fitore larg përmbushjes së premtimit, pas sukseseve ndaj Manchester City, Arsenal, Fulham dhe Tottenham.

Por barazimi ndaj West Ham bëri që seria të ndalet në katër fitore, duke e lënë Ilett-in sërish pa vizitë te berberi. Reagimi i tij u ndoq nga rreth 300 mijë shikues në platformën “Kick”. West Ham nuk e la rastin pa e shfrytëzuar. Klubi londinez postoi një video në TikTok me mbishkrimin “Cancel the appointment” (“Anulo vizitën”), duke ironizuar situatën. Në klip dëgjohet një zë i gjeneruar me AI që imiton Ilett-in, ndërsa shfaqet goli i Tomas Soucek dhe disa lojtarë të West Ham duke u qethur. Edhe Michail Antonio e përmendi tifozin gjatë transmetimit në “TNT Sports”, duke thënë: “Nuk po i pritet floku tani.” Madje edhe Manchester City ndërhyri në rrjetet sociale me një postim të Erling Haaland dhe mesazhin: “Nuk ka asgjë të keqe në të rritur flokët.” Ndërkohë, Wayne Rooney nuk e fshehu irritimin e tij për këtë histori, duke thënë se e gjithë vëmendja po zhvendosej nga skuadra te një tifoz që pret të qethet. Për momentin, flokët e “The United Strand” mbeten të paprekura – dhe interneti vazhdon të argëtohet.

sfidanti.al