Vëllezërit shqiptarë Stiven dhe Kristian Shpendi janë kthyer në dy nga emrat më të përfolur të merkatos verore. Sulmuesit, të cilët spikatën me paraqitjet e tyre gjatë sezonit të kaluar në futbollin italian, pritet të jenë protagonistë të lëvizjeve të rëndësishme në javët e ardhshme.
Presidenti i Empolit, Fabrizio Corsi, kishte deklaruar vetëm pak ditë më parë se klubi nuk kishte marrë ende asnjë ofertë zyrtare nga Padova për Stiven Shpendin, duke shtuar se e shihte sulmuesin më pranë një transferimi te Juventusi sesa te Padova. Gjithsesi, ai theksoi se Empoli është i gatshëm të dëgjojë çdo ofertë që do të mbërrijë.
Nëse transferimet realizohen, Empoli dhe Çezena do të përfitojnë financiarisht, por humbja e dy futbollistëve me cilësi si Stiveni dhe Kristiani do të krijonte boshllëqe të rëndësishme në repartin ofensiv. Merkatoja verore sapo ka hyrë në fazën më të nxehtë dhe pritet të sjellë zhvillime të reja për dy talentet shqiptare.

