Vdes legjenda e Lidsit, Hanter kampion i botës, viktimë e koronavirusit!

Kishte një javë në spital dhe nuk ia doli dot me epideminë e shekullit. Një nga kampionët e botës të Anglisë në 1966, edhe pse nuk luajti titullar, Norman Hanter, mbylli sytë në moshën 76-vjeçare për shkak të koronavirusit, duke qenë një tjetër viktimë e profilit të lartë të futbollit. Një mbrojtës i fortë me karrierë 21-vjeçar, Hanteri pati 28 ndeshje me Anglinë, duke qenë pjesë e skuadrës që doli kampione e botës në “Uembli” 54 vjet më parë.

Ai luajti mbi 700 ndeshje në 15 vjet për Lids Junajtidin dhe u bë fituesi i parë i anketës “Futbollisti më i mirë i vitit”, kur ajo u krijua në 1974. Një zëdhënës i Lidsit u shpreh se “klubi është i dëshpëruar thellësisht nga ky lajm i keq”.  Me Lidsin, Hanteri fitoi titujt kampion në 1969 e 1974, fitoi Kupën e Anglisë dhe Kupën e Ligës në 1972, si dhe fitoi dy herë Kupën e Qyteteve Panaiere, paraardhëse e Kupës UEFA.

Sfidanti.al