Skuadrat pjesëmarrëse të ligës së Kombeve së këtij edicioni do të përfitojnë më shumë të ardhura nga ky kompeticion. UEFA ka vendosur të rrisë shpërblimin për 55 Federatat e kontinentit evropian në masën 50%. Mësohet se UEFA ka rritur me të njëjtën masë si kontributin e solidaritetit ashtu edhe shpërblimin për skuadrën që do të fitojë grupin e saj dhe kjo vlen për të gjitha Ligat.
Kështu, një skuadër e Ligës A do të përfitojë 4.5 milionë euro, 2.25 milionë nga kontributi i solidaritetit dhe 2.25 milionë të tjerë nga fitimi i Grupit. Për skuadrat dfituese të Grupeve në Ligën B, shpërblimi i ri total do të jetë 3 milionë euro, për Ligën C ku ndodhet edhe skuadra jonë përfaqësuese, fitimi total është 2.25 milionë euro, ndërsa për Ligën D ku përfshihet përfaqësuesja kosovare, ky shpërblim është 1.5 milionë euro.
Sigurisht përfitimet më të mëdha do të jenë për skuadrat e Ligës A. Katër skuadrat fituese të grupeve të kësaj Lige në qershor të 2019 do të diskutojnë trofeun dhe shpërblimi i tyre është i ndarë në këtë mënyrë; vendi i parë do të sigurojë 6 milionë euro, vendi i dytë, do të fitojë 4.5 milionë, vendi i tretë dhe i katërt do të arkëtojnë respektivisht 3.5 dhe 2.5 milionë Euro. Në total, skuadra që do të ngrejë trofeun e Nations League do të fitojë në total 10.5 milionë Euro.
sfidanti.al