Sezon i vështirë, por Juventusi ka qenë i fortë me të fortët!

A mund të niset në 14 prill, të paktën duke u stërvitur? Mauricio Sarri shpreson kështu, edhe pse duket e largët kjo ditë, me Italinë që pati mbi 680 jetë të humbura vetëm në 24 orë nga koronavirusi. Gjithsesi, futbolli ndoshta mund të kthehet dhe Juventusi mund të provojë të fitojë trofetë në fushën e lojës. “La Gazeta delo Sport” shkruan se kampionët në fuqi mund të jenë optimistë sepse kanë qenë gjithnjë të fortë me të fortët, duke fituar pikët ndaj Interit, Milanit apo Romës, ndonëse me Lacion janë mundur dy herë.

Gjithsesi, do të ishte një rifillim i vështirë, pasi përtej ngarkesës në Serinë A, dhe epërsisë vetëm me 1 pikë mbi Lacion, do të jetë gjysmëfinalja e dytë ndaj Milanit në Kupën e Italisë (me të parën, ku “Zonja e Vjetër” nuk bindi aspak). Për më tepër, do të luhet ndeshja e kthimit ndaj Lionit, në të tetat e finaleve, dhe humbja 0-1 në Francë “dogji” shumë pasi nuk u bë asnjë gjuajtje në portë. Në rast suksesi, do të jenë çerekfinalet, gjysmëfinalet dhe finalja e mundshme. Juvja mbetet e fortë, por mosha e madhe ndoshta i prish pak punë.

Sfidanti.al