Në pesë ndeshjet e fundit jashtë fushe ka qenë thuajse sikur ka përsëritur veten. Pesë fitore, kjo dihet, pesë rezultate 2-1, dhe pesë herë me gol në minutat e fundit. Një Lacio që nuk ndalon kurrë, që beson deri në fund, që nuk dorëzohet, dhe që merr këtë sezon frytet e punës së jashtëzakonshme. Nuk ishte e lehtë për një trajner si Simone Inzagi të bindte djemtë e tij se mund t’ia dilnin për të rivalizuar Juventusin, apo qoftë edhe Interin e Napolin.
Aspak e lehtë për të dominuar kryeqytetin, me Romën 4 pikë larg, dhe për të lënë shumë poshtë një Milan me përvojë tepër më të madhe sesa lacialët. Me pesë fitore në minutat e fundit, aq më tepër jashtë fushe, nuk mund të flitet për fat. Ata që kanë vendosur në fund kanë qenë sidomos Çiro Imobile dhe Felipe Kaisedo, ndihmuar edhe nga Korrea. Me nëntë fitore radhazi është barazuar rekordi i Lacios së Eriksonit, me 16.6 gjuajtje drejt portës në çdo ndeshje është tepër lart, ashtu si edhe me 40 golat e shënuar, në vend të dytë në Serinë A, pas Atalantës.
Sfidanti.al