Eh Sarri, erdhi momenti të shkosh si armik në Napolin tënd!

Në moshën 61-vjeçare njeriu nuk ka dëshirë të kalojë sprova të forta emocionale, por puna e trajnerit nuk mund të kuptohet pa to. Mauricio Sarri do të ketë një test të vështirë këtë të diel, në 20:45, pasi do të paraqitet në stadiumin “San Paolo” si kundërshtar i Napolit, ekipit të qytetit të tij të lindjes. Për më tepër, do të jetë si trajner i “armikut më të urryer”, Juventusit, madje si drejtues i ish-heroit të tifozëve napolitanë, sot gjithashtu një armik, Gonzalo Higuain.

Sarri lindi pikërisht në Napoli në 1959, dhe e drejtoi ekipin partenope për 3 sezone, duke qenë gjithnjë nënkampion e duke luajtur në Champions. Edhe pse nuk e mposhti dot Juven, ai u bë rival i fortë i të besuarve të Alegrit, ndërsa tek Çelsi fitoi Ligën e Europës. “Shpresoj që tifozët të më presin miqësisht, – u shpreh Sarri në konferencën e shtypit në verë, – unë dhashë gjithçka për skuadrën, por tani jam i Juventusit dhe duhet të mendoj për skuadrën time”. “Tifozët e Napolit do të kuptojnë se çfarë kanë humbur”, – shkruan “Nju Jork Tajmsi”, ndërsa Juvja është në krye të renditjes së Serisë A, e Napoli në vend të 11-tëm, duke humbur 4 nga 5 ndeshjet e fundit.

Sfidanti.al