Racizëm tronditës : Anglezët kërkojnë dënim të rëndë për Malin e Zi

Anglia e mundi thellë 1-5 Malin e Zi në Podgoricë, por, mbas ndeshjes, anglezët, në vend që të festonin fitoren, gjëja e parë që bënë, ishte dërgimi i një ankese të ashpër në adresë të UEFA-s, aq të revoltuar ishin, duke kërkuar një dënim të rëndë kundër kundërshtarit, për shkak të ofendimeve raciste të futbollistëve anglezë nga ana e tifozëve vendas.
Sterlingu, Hadson Odoi dhe Rouz u ofenduan gjatë ndeshjes mbi bazën e motiveve raciste dhe, për këtë arsye, trajneri i përfaqësueses angleze, Garet Sauthgejt, paralajmëroi dërgimin e një ankese zyrtare në adresë të UEFA-s.
“Ne e dimë se çfarë kemi dëgjuar nga tribunat dhe përfundimisht kemi vendosur që të dërgojmë ankesë në adresë të UEFA-s. Ne jemi të vendosur që t’i mbrojmë futbollistët tanë”, tha Sauthgejti.
Ndërkohë që më i ashpër në kritikat e tij ishte Rahim Sterlingu, objket i ofendimeve raciste, që kërkoi që UEFA të mos mjaftohej me gjoba financiare, por të merrte masa më të ashpra. Ai kërkoi që Mali i Zi ndeshjet e ardhshme në fushën e vet t’i zhvillonte pa praninë e tifozëve.
Sfidanti.al