PSG bllokon negociatat me Dembele

Pas një sezoni të jashtëzakonshëm, ku fitoi 6 nga 7 trofetë e mundshëm dhe u shpall fitues i “Topit të Artë”, Ousmane Dembélé ka shkaktuar një valë interesimi për të ardhmen e tij, ndërsa kontrata me PSG-në skadon verën e 2028. Mediat, opinion publik dhe tifozët e parizienëve janë përqendruar tek lojtari 28-vjeçar, duke diskutuar mbi rinovimin e mundshëm. Sipas “RMC Sport”, klubi ka kontaktuar me agjentët e Dembélé-së dhe i ka bërë një ofertë verbale në linjë me pagën aktuale, por lojtari, i konsideruar më i paguari i ekipit, duket se pret një rritje pas triumfit të madh individual. Presidenti Nasser Al-Khelaifi ka paralajmëruar qartë: “Politika e klubit është e vendosur. Ekziston një limit pagash që të gjithë duhet ta respektojnë”.

Al-Khelaifi nuk e ka fshehur admirimin për ‘yllin’ francez: “Ousmane është një legjendë e PSG-së. E dua si lojtar dhe si person; është një njeri i mrekullueshëm”. Megjithatë, ai riktheu mesazhin kryesor të klubit: “Klubi është më i rëndësishëm se çdo individ”. Negociatat për rinovimin e kontratës pritet të vazhdojnë në javët e ardhshme. Mësohet se PSG ka ofruar 30 milionë euro në sezon, ndërsa Dembélé kërkon rreth dyfishin, duke e bërë marrëveshjen të komplikuar dhe të tensionuar. Në sfond, rritja e pagës dhe vendosmëria e klubit për të respektuar limitet e buxhetit do të jenë vendimtare për fatin e ‘yllit’ francez në kryeqytetin francez.

Sfidanti.al