Ndërsa luhej ndeshja ndaj Mançester Junajtidit në “Anfild”, tifozët e Liverpulit nisën të këndonin: “Ne do të jemi kampionë!” Kjo strofë u përsërit disa herë, dhe tifozët dukeshin si “të lëshuar nga zinxhirët” që më në fund mund ta këndonin pa pasur frikë se do t’u sillte ndonjë mallkim. Nuk dihet sesa prej 52 000 spektatorëve të “Anfildit” ishin në ndeshjen e famshme të 1990-ës që solli titullin e 18-të dhe të fundit.
Gjithsesi, kjo festë e parakohëshme, por pa të keq e tifozëve solli një shqetësim tek trajneri Jurgen Klop, që i ftoi lojtarët e tij që të mos bëheshin pjesë e saj. “Nuk kam asnjë problem me tifozët, ata mund të këndojnë çfarë të duan dhe të festojnë, – tha ai, – gjithkush mund ta kremtojë situatën në të cilën ndodhemi, me përjashtimin tonë. Asgjë nuk ka ndryshuar. Ne kemi të njëjtën situatë, plus 3 pikë. Do t’iu them menjëherë kur të jetë ndryshe, por për momentin nuk është. Ne nuk do të jemi pjesë e kësaj feste, por nuk ka problem. Ne e dimë punën tonë”.
Sfidanti.al