Kur ke dy lojtarë specialistë gjithçka bëhet më e qetë, sidomos kur njëri prej tyre është kampion i botës dhe i lë mënjanë tekat për të luajtur. Mançester Junajtidi u shpëtua në fushën e Fulhamit në Londër nga dyshja Edinson Kavani-Pol Pogba, autorët e golave në fitoren 2-1 në Premier Ligë, që i lejon “djajtë e kuq” të kthehen në krye të renditjes, ndonëse me një ndeshje më shumë se Mançester Siti. Ata vazhduan traditën e mirë që kishin në “Kraven Kotixh” ku kishin fituar 4 ndeshjet e fundit, por u desh të djersisnin shumë.
Kavani po rezulton një përforcim i goditur nga Paris SG, ndërsa trajneri Ole Gunar Solskjer po merr lavdërime që e ka kthyer në shina Pogbanë, që deri pak javë më parë cilësohej si “djali plangprishës”. Francezi shënoi një gol shumë të bukur për fitoren, goli i parë me të majtën nga jashtë zone që nga janari i vitit 2015 kur ishte tek Juventusi. Një transformim vërtet i madh. “Një fitore e madhe sepse ishte e vështirë, – tha Pogba për BT Sportin, – e dinim se do të ishte e vështirë, pasi ata bëjnë presion të madh. Përsa i përket golit, e godita mirë topin, nëse nuk e provon nuk shënon. Nuk ishte goli im më i bukur, por ishte prapë i bukur”. Junajtid ka 40 pikë ndaj 39 të Sitit, por me një ndeshje më shumë.
Sfidanti.al