Premier League, Chelsea nën akuzë

Klubi anglez Chelsea është vënë nën hetim nga Federata Angleze e Futbollit (FA) për 74 shkelje të rregullave që lidhen me pagesat e agjentëve. Sipas FA-së, çështjet në fjalë lidhen me periudhën 2009–2022, kur klubi ishte nën pronësinë e miliarderit rus Roman Abramovich, dhe fokusohen kryesisht tek sezonet 2010-11 deri 2015-16.

Chelsea ka afat deri më 19 shtator për të dhënë përgjigjen e tij. Në rast se konfirmohen shkeljet, sanksionet mund të variojnë nga gjoba financiare, bllokim i transferimeve deri tek zbritje pikësh në renditje.

Klubi ishte pronë e Abramovich nga viti 2003 deri në 2022, kur u shit tek një konsorcium i udhëhequr nga investitori amerikan Todd Boehly dhe kompania e kapitalit privat Clearlake Capital.

Në një deklaratë zyrtare, Chelsea thekson se pas procesit të due diligence gjatë blerjes, grupi i ri pronar u informua për transaksione financiare historike të paplotësuara dhe shkelje të mundshme të rregullave. Pas përfundimit të blerjes, klubi i ka raportuar vetë këto çështje tek autoritetet përkatëse, përfshirë FA-në.

sfidanti.al