Presidenti i PAOK-it, Ivan Savidis, duket se po i jep fund misionit të tij në futbollin grek mbas incidentit që ai shkakoi, duke hyrë me revole në brez në fushë gjatë ndeshjes së ekipit të tij me AEK-un e Athinës. Ky veprim i tij çoi në ndërprerjen e kampionatit grek për një kohë të pacaktuar, ndërkohë që FIFA dhe UEFA po ushtrojnë një presion të madh mbi federatën greke të futbollit që ajo të marrë masa të ashpra, sepse, në të kundërt, këto masa të ashpra do të merren kundër asaj vetë.
Federata në fjalë, në takimin që zhvilloi dje me përfaqësuesit e FIFA-s, vuri në dukje se Savidisi ka shkelur një serë kodesh dhe rregullash, duke kërcënuar, madje, edhe gjyqtarin e ndeshjes, kështu që ai mund të dënohet deri në pesë vite pezullim nga futbolli. Komisioni disiplinor i ligës kryesore greke duhet ta japë vendimin e saj brenda një kohe të shkurtër.