PAOK-ut po i del nga hundët pistoleta “ e mallkuar” e bosit “kauboj”

FIFA ende nuk e ka dhënë vendimin e saj sa i përket PAOK-ut të Selanikut, pronari i të cilit, Ivan Savidis, hyri me pistoletë në brez në fushë, kur luante ekipi i tij, por, megjithatë, dihet se dënimi do të jetë shumë i rënë, madje, deri edhe përjashtimin e Greqisë nga federata ndërkombëtare e futbollit! Të paktën, kështu shkruan media greke që bën të ditur se përfaqësues të lartë të FIFA-së, tanimë, kanë ardhur në Athinë që “të pastrojnë” kaosin e madh që ka përfshirë futbollin grek.

Prokurori Konstantinos Simixhoglu, tanimë, ka nisur një procedurë penale kundër pronarit të PAOK-ut, Savidis, pasi ai ka shkelur Nenin 18 të Kodit Penal që ka lidhje me kërcënimet, pasi ai ka kërcënuar gjyqtarin, duke pasur armë me vete. Ka shumë mundësi që, veç gjobës prej 50 000 eurosh, ai të dënohet, gjithashtu, që të mos hyjë në stadiume tre deri në pesë vite, kurse PAOK-un mund ta presë një dënim i fortë nga komisioni disiplinor i federatës greke, përjashtim nga Superliga greke deri në pesë vite. Për dënimin e PAOK-ut, sipas medias, ka tre opsione: të luajë një kohë të gjatë në stadiumin “Tumba” pa shikues, t’i hiqen të gjitha pikët e fituara deri tani ose t’i shtohen edhe pikë negative ose të përjashtohet nga Superliga deri në pesë vite.

Kaosi i fundit në Selanik e ka sjellë Greqinë në buzë të greminës, pasi nuk do të jetë hera e parë që Superliga greke do të dënohet ose do të pezullohet, për shkak të qëndrimeve antifutbollistike. Funksionarët e lartë të FIFA-s, tanimë, ndodhen në Athinë dhe një nga ata, Herber Hubel, sipas medias greke, i ka paralajmëruar grekët se mund të ndodhë edhe “skenari më i zi” – përjashtimi i Greqisë nga FIFA.

Sfidanti.al