Ndeshja ndërqytetëse mes LA Galaksi dhe Los Anxhelosit përfundoi me rezultatin 4-3 në favor të ekipit të parë dhe meritën kryesore për këtë fitorën e Galaksisë e pati Zllatan Ibrahimoviç. Në këtë ndeshje që u luajt para rreth 27 000 shikuesve, Ibrahimoviçi, fillimisht, e barazoi rezultatin në 3-3, mbasi e goditi topin shkëlqyeshëm fluturimthi nga rreth 35 metra, kurse, më pas, shënoi edhe golin e fitores, kësaj here, me kokë, duke provokuar një histeri të vërtetë në stadium.
“Tifozët thërrisnin: Duam Zllatanin, duam Zllatanin dhe unë ua dhashë atyre Zllatanin”, ishin fjalët e para të Ibrës mbas ndeshjes. Sidoqoftë, ai e pranoi se nuk kishte shumë fuqi. “Mbas golit të parë, kur ndërmora sprintin, thashë se mbeta pa frymë. Kështu që ndryshova taktikë, shkova para portës kundërshtare dhe aty e prisja topin. E pashë që portieri kishte dalë nga porta dhe me një prekje jo të fortë me kokë të topit e dërgova atë në rrjetë. Shyqyr që ndeshja përfundoi shpejt, sepse nuk do të kisha duruar dot më, pasi nuk kam bërë shumë stërvitje”, tha Ibrahimoviçi.
Sfidanti.al