Napoli në ankth, Amir Rrahmani në pritje të ekzaminimeve

Pauza e parë e kampionatit solli edhe lajmin e hidhur për Antonio Conten dhe Napolin. Amir Rrahmani, shtyllë e mbrojtjes së “azzurrëve” dhe kapiten i Kosovës, pësoi një dëmtim gjatë grumbullimit me kombëtaren, duke vënë në pikëpyetje planet e klubit napolitan për javët e ardhshme. Qendërmbrojtësi u dëmtua në eliminatoren me Zvicrën, për pasojë stafi i Kosovës vendosi ta përjashtonte nga ndeshja me Suedinë, duke e detyruar të rikthehet menjëherë në Itali.

Sot, futbollisti ‘dardan’ do t’u nënshtrohet kontrolleve të reja mjekësore në qendrën stërvitore të Napolit në Castel Volturno. Vetëm pas këtyre ekzaminimeve do të përcaktohet natyra e dëmtimit dhe afati i rikuperimit, i cili mbetet ende i paqartë. Ajo që tashmë është e sigurt është mungesa e tij në sfidën e radhës ndaj Fiorentinës në “Franchi”. Conte do të duhet të rishikojë skemat mbrojtëse, pasi rëndësia e Rrahmanit në ekuilibrin taktik të skuadrës është thelbësore.

sfidanti.al