Romelu Lukaku është përfundimisht një lojtar i Mançester Junajtidit. Futbollisti belg kaloi nga “Gudison Parku” për në “Old Traford” për një shumë prej 75 milionë paund stërlinash, baraz me rreth 86 milionë euro, duke u bërë sulmuesi më i shtrenjtë në historinë e futbollit anglez. Nëse mendon se Uejn Runi shkoi falas në rrugën e kundërt, Junajtid-Everton, ndërsa kartoni i vlerësohej 10 milionë stërlina, atëherë fare mirë mund të thuhet se Lukaku ka kushtuar 85 milionë paund, pra diçka më pak se 100 milionë euro.
Lojtari i fuqishëm 24-vjeçar nënshkroi një kontratë 5-vjeçare me një rrogë prej 200 000 stërlinash në javë, ndërsa ekziston një klauzolë që kontrata mund të zgjatet edhe me një sezon. Ai do të marrë fanelën me numrin 9 që vjet e kishte Zllatan Ibrahimoviç. Zhoze Murinjo realizoi kështu një dëshirë të tij, që e kishte mbajtur të fshehtë, ndërsa po merr një futbollist që cilësohet si një “karakter i fortë që kthen barazimet në fitore”.
Sfidanti.al