Yuri Alberto mendoi se ai objekt i çuditshëm me ngjyrë rozë që tifozët e Corinthians hodhën në fushë ishte një jastëk ose, në rastin më të keq, një lodër. Por kur e goditi me këmbë për ta larguar nga fusha, ai kuptoi se ishte një kokë derri. E vërtetë. Me përmasa të konsiderueshme. E prerë dhe e sjellë në stadium nga ndonjë përkrahës i “Timao” për ta përdorur si mjet për tallje në ndeshjen kundër Palmeiras. Pas këtij gjesti të pamenduar, të shëmtuar dhe të gjetjes vërtet makabre – që kujton një episod të ngjashëm që ndodhi me Luis Figo gjatë një “Clasico” në Spanjë – fshihet një histori rivaliteti që daton në vitin 1969: 55 vjet më vonë përsëritet në ndeshjen që ndez rivalitetin e São Paulos. “Rrezikova të lëndohesha seriozisht në këmbë – tha Yuri Alberto -. Mendova se ishte një jastëk, ose diçka e ngjashme… por në të vërtetë ishte një kokë derri”. Në videon e atyre çasteve, ku arbitri ndërpreu shkurtimisht lojën, vërehet tronditja dhe neveria e lojtarit: me majën e këmbës e largon atë “objekt të çuditshëm” dhe, duke e parë të rrokulliset mbi bar, e kupton për çfarë bëhej fjalë dhe mbetet i shastisur. Pak më pas, një nga mbledhësit e topave merr mbetjet e derrit dhe i vendos pas një prej tabelave reklamuese.
Hedhja e kokës së derrit u kujton tifozëve të Corinthians atë që ndodhi shumë vite më parë: një episod që ashpërsoi konkurrencën me Palmeiras. Në vitin 1969 dy futbollistë të “Timao” vdiqën në një aksident rrugor, klubi kërkoi të kishte mundësinë t’i zëvendësonte, por klubi tjetër i São Paulos e kundërshtoi. Wadih Helu, në atë kohë president i Corinthians, shpërtheu përballë asaj mungese ndjeshmërie, si njerëzore ashtu edhe sportive: “Të gjithë e dinë që Palmeiras ka shpirt derri.” Kjo është arsyeja pse që nga ajo kohë tifozët kuq e zi kanë adoptuar këtë formë të veçantë proteste dhe hakmarrje kundër kundërshtarëve të tyre. Tradhtia dhe hakmarrja kanë qenë gjithashtu ndjenjat që kanë gjallëruar tifozët e Barcelonës që kurrë nuk ia falën Figos transferimin te Real Madrid. E në atë “Clasico” të nëntorit 2002, që hyri në histori për kokën e një derri të hedhur drejt lojtarit që ndodhej në fushë, manifestuan hakmarrjen me atë gjest aq teatral dhe të zymtë. Ish-mesfushorit portugez i hodhën gjithçka dhe ajo skenë bëri xhiron e botës njësoj si ajo që ndodhi mes Corinthians dhe Palmeiras.
sfidanti.al