Trajner spanjoll i Belgjikës, Robert Martinez, deklaroi se në ndeshjen e fundit të grupit me Anglinë, ai mund të nxjerrë në fushë një formacion krejt të ndryshëm në krahasim me dy ndeshjet e para. Në fakt, si Anglia, ashtu edhe Belgjika, tanimë, e kanë siguruar kalimin për në 1/8-tën e finaleve të kampionatit botëror, ndërkohë që të enjten të dy ekipet do të luftojnë se cili prej tyre do të zërë vendin e parë në grup. Në fakt, Martinezi ka tre lojtarë me kartona të verdhë, ndërkohë që Lukaku dhe Azari janë ankuar se kanë dëmtime të lehtë.
“Nëse më pyesni mua për çdo lojtar në veçanti, unë do të thosha se secili prej tyre e meriton që të luajë në Botëror. Prandaj, për mua është e rëndësishme që t’u japë mundësi të gjithëve që t’i shkojë në fushë. Unë kështu e shoh situatën momentale”, vuri në dukje Martinezi.
Sidoqoftë, në formacion do të duhet të kthehet Vinsen Kompani që, për shkak të dëmtimeve, nuk ka luajtur kundër Tunizisë dhe Panamasë. Kapiteni i Mançester Junajtidit u pa dje, duke u stërvitur me ekipin.