Luis Suarez bëhet hero në Uruguaj

Luis Suarez dhe bashkëshortja e tij Sofia Balbi u bënë protagonistë të një ngjarjeje prekëse gjatë pushimeve të tyre në Uruguai. Çifti ndihmoi në shpëtimin e një burri, që po tentonte të vetëvritej. Sipas mediave lokale, ngjarja ndodhi në Ciudad del Este të premten mbrëma, kur një burrë 49-vjeçar, i quajtur Luis, u ngjit në një pemë gjashtë metra të lartë dhe kërcënoi se do t’i jepte fund jetës nëse bashkëshortja e tij nuk do të paraqitej aty. Me kalimin e kohës, lajmi u përhap dhe policia vendosi të kontaktonte Luis Suarezin, i cili ndodhej në qytet. Kjo zgjedhje nuk ishte e rastësishme, pasi burri në krizë ishte një fans i madh i futbollistit. Suarez, së bashku me bashkëshorten e tij, u bashkua me përpjekjet e autoriteteve për të bindur burrin të zbriste.

Fillimisht, policia kishte provuar të negocionte me të, por pa sukses.

Një ekip i specializuar në negociata mbërriti në orët e para të mëngjesit, por as ata nuk patën rezultat, pas disa orësh. Përpjekjeve iu bashkuan ekspertë të një OJQ-je për psikologji sociale dhe, në fund, Suarez dhe Balbi, të cilët luajtën një rol vendimtar. Pas rreth 18 orësh, në orën 17:00 të së shtunës, burri vendosi të zbriste nga pema. Një anëtar i OJQ-së tha për televizionin uruguaian “Telenoche”:

“Luis Suarez u afrua dhe kontribuoi me empatinë e tij. Ai e bëri burrin të ndihej i kuptuar. Suarez tregoi një humanizëm të jashtëzakonshëm, kjo e ndihmoi situatën të zgjidhej më shpejt”. Një oficer policie i përfshirë në operacion shtoi: “Luis nuk hezitoi asnjë sekondë kur u thirr për të ndihmuar. Ai tregoi një zemër të madhe dhe ndjenjë përgjegjësie shoqërore”. Ky akt i solidaritetit nga Suarez dhe bashkëshortja e tij është vlerësuar gjerësisht dhe ka prekur zemrat e shumë njerëzve në Uruguai e më gjerë.

 

sfidanti.al