“Ishte ndeshja më e mirë që kam përjetuar si trajner. Komplimente të gjithëve!” – theksoi trajneri i PSG, Luis Enrique, pas fitores 5-4 ndaj Bajernit në gjysmëfinalen e parë të Champions League.
“Si trajner, nuk kam parë asnjëherë një ndeshje me këtë intensitet, me këtë dëshirë për të fituar. Mendoj që të gjithë tifozët, pavarësisht nga skuadra që mbështesin, janë të lumtur që kanë ndjekur këtë spektakël. Të dyja skuadrat dhe të gjithë lojtarët meritojnë komplimente.
Ishte një ndeshje shumë e vështirë dhe e tillë do të jetë edhe ajo e kthimit në Gjermani. Ka aspekte që duhen përmirësuar, por tani duhet t’i gëzohemi këtij rezultati. Kjo ishte ndeshja e tretë që ata (Bajerni) kanë humbur për këtë sezon, jemi shumë të kënaqur. E kemi merituar të fitojmë”, – shtoi pastaj trajneri spanjoll i PSG.
Përballja e Parisit dhuroi emocione të forta, me 9 gola të shënuar dhe një lojë me ritëm shumë të lartë.

