Nëse ka një stol që ka ndryshuar shumë që nga viti 2012 është ai i Barcelonës. Natyrisht, flitet për trajnerët e klubeve të mëdhenj, dhe katalanasit nuk kanë pasur stabilitet që nga largimi i Pep Guardiolës pas 4 vitesh të sukseshëm. U mendua se me Luis Enriken kaloi “Epoka e Turbullirave”, kur Tito Vilanova u sëmur, Zhordi Rura drejtoi ekipin në mungesë të tij dhe Tata Martino nuk mundi të sillte sukses.
Veçse, Luis Enrike kurrë nuk ka qenë një njeri i lehtë për t’u menaxhuar, njëlloj si në kohën kur ishte futbollist. Ai po mendon për të marrë një vit pushim, të paktën siç shkruan gazeta “Marka”. Natyrisht, trajneri ende nuk e ka ndarë mendjen, por rreziku ekziston që katalanasit të jenë të detyruar të gjejnë drejtues tjetër teknik për skuadrën që këtë verë. Kjo nuk është diçka e re për njeriun me origjinë nga Asturia. Ai mendoi të largohej që pas sezonit të parë, 2014-2015, kur fitoi gjithçka që mund të fitohej si kampionatin spanjoll, Ligën e Kampionëve dhe Kupën e Mbretit.
B. Kuka