Ish-trajneri i Realit të Madridit Fabio Kapelo tha, dje, se sulmuesi Karim Benzema e ka statusin e lojtarit në formacionin e parë, në vend të Alvaro Moratës, sepse është i afërt më presidentin e klubit, Florentino Perez. Benzema, në fakt, nuk është në formë të mirë, që nga fillimi i sezonit, ndërsa Morata hyn në lojë si zëvendësues dhe me, golat që shënon, zgjidh fatin e ndeshjeve. Sidoqoftë, trajneri i Realit, Zinedin Zidane, i jep përparësi Benzemas dhe Kapelo thotë se ai vepron kështu që t’i bëjë qejfin presidentit të klubit, Perez.
“Zgjedhja mes Benzemas dhe Moratës është një dilemë që çdo trajneri do të kishtë dëshirë që ta kishte. Mendoj se Zidane ka gjetur zgjidhjen e duhur. I fillon ndeshjet me Benzeman, duke e ditur se ky futbollist francez është beniamin i presidentit dhe, më pas, fut në lojë Moratën që ai të zgjidhë fatin e ndeshjes. Mendoj se taktika e Zidanes është opsioni më i mirë dhe këtë e tregojnë edhe rezultatet”, i tha Kapelo “Foks Sportit” italian.