Gjykata Kombëtare në Spanjë ka konfirmuar dënimin prej 18 muajsh me kusht për Luis Rubiales, ish-president i Federatës Spanjolle të Futbollit (RFEF), për puthjen pa konsens ndaj futbollistes Jennifer Hermoso gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve në Kupën e Botës për femra në gusht 2023, në Sydney të Australisë.
Sipas asaj që raporton ‘Marca’, Rubiales do të duhet të paguajë gjithashtu një gjobë ditore prej 20 eurosh për periudhën e dënimit, për veprën e “dhunës seksuale”, sipas ligjit spanjoll.
Njëkohësisht, Gjykata ka konfirmuar pafajësinë për tre të pandehurit e tjerë në këtë rast: ish-trajneri i kombëtares, Jorge Vilda, ish-drejtori i futbollit të meshkujve, Albert Luque, dhe ish-drejtori i marketingut të Federatës, Rubén Rivera. Vendimi i sotëm rrëzon të gjitha apelimet e paraqitura si nga Prokuroria, ashtu edhe nga përfaqësuesit privatë të Hermosos dhe vetë mbrojtjen e Rubiales, duke vulosur kështu dënimin e dhënë më 20 shkurt nga Gjykata Penale Qendrore.
Ky rast tronditi botën e futbollit dhe solli në qendër të vëmendjes nevojën për respekt dhe barazi në ambientet sportive, veçanërisht ndaj grave.
sfidanti.al