Kjo, po, do te jetë çudi e vërtetë: Neto nga “i vdekur” do të luajë

Ndërkohë që në Brazil po bëhen përgatitjet e fundit për varrimin e viktimave të tragjedisë ajrore që ndodhi në Medelin të Kolumbisë, në klinikën e këtij qyteti mjekët po vazhdojnë përpjekjet për të shpëtuar jetën e tre futbollistëve të Çapekoenses që e mbijetuan aksidentin. Sipas informacioneve më të fundit, në gjendjen më të mirë shëndetësore është mbrojtësi Neto. Ky futbollist që, fillimisht, u shpall i vdekur, duke qenë se ekipet e shpëtimit e ndërprenë punën e tyre, por, më pas, ai u gjet i fundit midis mbetjeve të avionit, do të mund ta vazhdojë karrierën e vët në fushën e futbollit. Kështu thotë, të paktën, i ati i tij.

“Mirëmbrëma, dëshiroj, me kënaqësi të madhe, që t’ju njoftoj se djali im, tani, është më mirë. Sapo, ai iu nënshtrua një operacioni në këmbë dhe mjekët thonë se ai, përsëri, do të mund të luajë futboll. Le të lutemi që djali im të kthehet sa më shpejt”, shkroi i ati i Neto, Marinjo Helam, në profilin e tij në facebook. Futbollisti tjetër që ka mbijetuar, Alan Rushel, që u shpëtua dhe u soll i pari në spital, sipas mjekëve, do të mund të ngrihet në këmbë, pasi dëmtimet që ia ka marrë në të dyja këmbët, po përmirësohen gradualisht. Futbollistit të tretë që ka shpëtuar, portierit të Çapekoenses, Xhekson Folan, iu pre këmba e djathtë, menjëherë, pas sjelljes së tij në spital, por lajm i mirë është ai se mjekët, pas një beteje shumë të vështirë, arritën që t’i shpëtonin atij këmbën e majtë.

Sfidanti.al