Juventus po përgatitet për një verë të nxehtë në merkato, pas rinovimit të kontratës së trajnerit Luciano Spalletti. Me çështjen e stolit tashmë të zgjidhur, drejtuesit bardhezi po fokusohen te përforcimet për sezonin e ardhshëm, me synimin për të rritur cilësinë, eksperiencën dhe personalitetin e skuadrës. Një nga objektivat kryesorë është porta, ku pritet largimi i Michele Di Gregorio dhe Mattia Perin. Emri më i përfolur për zëvendësimin e tyre është ai i Alisson Becker, aktualisht pjesë e Liverpool.
Sipas raportimeve, kontaktet e para mes Juventusit dhe portierit brazilian kanë qenë pozitive. 33-vjeçari, i cili ka punuar më parë me Spallettin te Roma, është i hapur për një aventurë të re në Europë, megjithëse nuk përjashton as opsione të tjera si MLS apo kampionatet arabe. Rinovimi i fundit i kontratës së tij me Liverpoolin deri në vitin 2027 shihet më shumë si një lëvizje strategjike nga klubi anglez, sidomos pas investimit për Giorgi Mamardashvili.
Por merkatoja e Juventusit nuk ndalet te porta. Në mesfushë, Spalletti ka vënë në shënjestër Ederson nga Atalanta. Situata e brazilianit mbetet e ndërlikuar, pasi Atletico Madrid ka avantazh në garë, edhe pse kërkesa prej rreth 40 milionë eurosh e klubit bergamask po e ngadalëson marrëveshjen. Në repartin ofensiv, gjithçka varet nga e ardhmja e Dusan Vlahovic, i cili mund të qëndrojë nëse rinovon kontratën. Në të kundërt, në listë përforcimesh shfaqet edhe emri i Robert Lewandowski.
sfidanti.al

